Një vatër zjarri ka përfshirë në orët e para të mëngjesit një repart të përpunimit të baterive në Elbasan, duke shkaktuar momente paniku dhe ndërhyrje emergjente nga shërbimet zjarrfikëse.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 04:00, ndërsa flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga materialet e ndodhura brenda repartit industrial.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat pas një operacioni intensiv kanë bërë të mundur izolimin dhe shuarjen e flakëve, duke parandaluar përhapjen e zjarrit drejt reparteve dhe bizneseve përreth.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkak i incidentit ka qenë një rrjedhje gazi nga një depozitë brenda repartit. Në operacion morën pjesë 4 mjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa policia dhe grupi hetimor kanë nisur verifikimet për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.





