Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor dhe avancimi i interesave ekonomike amerikane në rajon i bëjnë SHBA-të “më të sigurta, më të forta dhe më të begata”, sipas një dokumenti të ri të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH).
Raporti thekson se “kontestet e pazgjidhura dhe ndasitë e mbetura minojnë stabilitetin rajonal”.
Dokumenti është publikuar në faqen zyrtare të DASH-it me titullin “Politika e Shteteve të Bashkuara për Promovimin e Stabilitetit dhe Prosperitetit në Ballkanin Perëndimor” dhe përmbush një kërkesë të Kongresit amerikan për raportim mbi politikën e SHBA-ve në rajon.
Për Kosovën, dokumenti nënvizon se SHBA-të vazhdojnë të inkurajojnë Prishtinën dhe Beogradin për përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve, me synimin për një marrëveshje të qëndrueshme dhe të pranueshme për të dyja palët. Gjithashtu theksohet se trupat amerikane vazhdojnë të jenë pjesë e KFOR-it, i cili konsiderohet kyç për garantimin e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë.
Raporti mbështet edhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë profesionale të mbrojtjes territoriale, si dhe përmend projekte energjetike si modernizimi i kapaciteteve me qymyr dhe zhvillimi i gazifikimit.
Dokumenti e cilëson Ballkanin Perëndimor si një rajon me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe interesat ekonomike të SHBA-ve, duke theksuar një qasje të re amerikane ku fokusi zhvendoset nga “ndërtimi i shteteve” drejt partneriteteve të bazuara në stabilitet dhe përfitim të ndërsjellë.
Prioritetet përfshijnë ruajtjen e stabilitetit rajonal, kundërshtimin e ndikimit të Rusisë dhe Kinës, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, investimet në energji dhe infrastrukturë, luftën kundër krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit të sigurisë.
Sipas raportit, Rusia dhe Kina përpiqen të shfrytëzojnë paqëndrueshmërinë, korrupsionin dhe qeverisjen e dobët në rajon, ndërsa krimi i organizuar nga Ballkani Perëndimor cilësohet si kërcënim për sigurinë e SHBA-ve, për shkak të lidhjeve me trafik droge, pastrim parash dhe krim kibernetik./Marrë nga REL





