Detaje të rënda kanë dalë nga aksidenti tragjik i ndodhur në aksin Elbasan–Librazhd, ku një fëmijë 7 vjeç humbi jetën pasi u përplas nga një automjet teksa po kalonte rrugën për të shkuar në shkollë.
Banorët e zonës, të cilët kanë qenë ndër të parët që kanë mbërritur në vendngjarje, hedhin dyshime se automjeti lëvizte me shpejtësi të lartë, ndonëse drejtuesi i mjetit ka pretenduar se po udhëtonte me rreth 10 km/h.
“Shoferi thoshte që është në rrugë nacionale dhe kishte të drejtën e tij. Ka thënë se ishte me 10 km në orë, por kjo rrugë është bërë shumë e rrezikshme dhe këtu ka pasur edhe raste të tjera”, u shpreh një banor.
Sipas dëshmive, pas përplasjes kanë qenë vetë qytetarët që kanë ndërhyrë për të nxjerrë të miturin nga automjeti.
“E panë që ishte me shpejtësi maksimale. Burrat e lokalit erdhën menjëherë, ngritën makinën dhe nxorën fëmijën. Ambulanca nuk erdhi në kohë. E nisën me makinë të rastit drejt spitalit. Ambulanca mbërriti rreth 15 minuta pasi fëmija ishte nisur”, tregoi një banore e zonës.
Ngjarja ka tronditur komunitetin, ndërsa banorët kërkojnë masa urgjente për sigurinë rrugore në këtë segment, që sipas tyre është kthyer në një pikë të rrezikshme aksidentesh.





