TIRANË- Është shtyrë seanca gjyqësorfe në GJKKO për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Mësohet se, seanca është shoqëruar me mungesa të shumta të të pandehurve përfshirë dhe Veliajn dhe përfaqësuesve të tyre ligjorë, si dhe me debate procedurale mes palëve.
Procesi ka vijuar me mungesa të theksuara nga ana e palëve në proces, ku konkretisht nuk janë paraqitur, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu, të cilët u përfaqësuan vetëm përmes avokatëve të tyre ligjorë. Sa i përket subjekteve tregtare, “Gerard A sh.p.k.” u përfaqësua nga administratorët ligjorë, ndërsa për shoqërinë “Fusha sh.p.k.” mori pjesë avokati Uljan Bajrami.
Nga ana tjetër, salla regjistroi mungesën e Meriton Likës bashkë me mbrojtjen e tij, si dhe të kompanisë “Lan sh.p.k.”. Mbrojtësit e kësaj të fundit, Maks Haxhia dhe Dritan Jahaj, nuk ishin të pranishëm, ku për të parin u njoftua se ndodhej jashtë shtetit për arsye zyrtare. Mungesa pati edhe nga radhët e shoqërisë civile, ku organizatat “Qendra Harabel”, “Byl-A” dhe “Qendra Muza” nuk patën përfaqësues ose u ndoqën vetëm nga avokatët.
I vetmi që u paraqit personalisht ishte Valmir Xoxa, te i cili u regjistrua edhe një ndryshim në skuadrën mbrojtëse, pas revokimit të njërit prej avokatëve dhe caktimit të përfaqësuesit të ri. SPAK ka kërkuar pezullimin e afateve të paraburgimit, me argumentin se mungesat e mbrojtjes ligjore po shkaktojnë shtyrje të procesit. Ndërkohë, mbrojtja e Erion Veliaj e ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke theksuar se kryebashkiaku nuk është shkak për vonesat dhe se nuk ka arsye për pezullimin e afateve.
Për çfarë akuzohet Veliaj?
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.
Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.





