SKANDAL MJEDISOR NË ELBASAN/ IKMT pezullon “Albchrome” pas zbulimit të 318 ton mbetjeve të rrezikshme, gjobitje prej 4 mln lekësh

0

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka gjobitur dhe ka pezulluar përkohësisht aktivitetin e kompanisë “Albchrome” në Elbasan, pas një kontrolli për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme.

Sipas inspektimeve të kryera nga drejtoria rajonale e IKMT-së, në ambientet e kompanisë janë gjetur rreth 318 ton mbetje të rrezikshme të krijuara nga procesi i pluhurit të kromit.

Autoritetet kanë konstatuar se për këto mbetje nuk ekzistonte asnjë kontratë për trajtimin, transportin apo asgjësimin e tyre.

Për këtë shkelje, kompania është ndëshkuar me një gjobë prej 4 milionë lekësh dhe është vendosur pezullimi i aktivitetit deri në trajtimin e plotë të mbetjeve sipas ligjit në fuqi.

Autoritetet thonë se masat janë marrë për shkak të rrezikut që këto mbetje paraqesin për mjedisin dhe shëndetin publik.