Terapia hormonale/ Mitropoliti i Korçës, mesazh prindërve: Njerëz me agjenda të mirëcaktuara iu kanë vënë syrin fëmijëve tuaj

0

Udhëzimi i Ministrisë së Shëndetësisë për terapi hormonale falas në QSUNT ka ngjallur polemika të forta.

Për këtë çështje ka reaguar edhe Mitropoliti i Korçës, Imzot Anastasi.

Përmes një mesazhi dhënë besimtarëve, në meshën e mbajtur këtë të martë në kuadër edhe të festës së fëmijëve, Imzot Anastasi tha se të gjithë do të kenë përgjegjësi përpara Zotit, mbi rritjen dhe edukimin e fëmijës, ndërsa tha se kjo është një agjendë e mirëmenduar.

“Kështu që keni një barrë të madhe që t’i ofroni tek Perëndia fëmijët tuaj ashtu siç ua dha: të pastër, të shëndetshëm, jo vetëm trupërisht, por shpirtërisht mbi të gjitha. Jo, janë njerëz që kanë agjenda të mirë-caktuara, dhe kanë vënë në syrin e tyre, si qëllim të tyre, fëmijët tuaj, familjen tonë, për të shkatërruar shoqërinë tonë, për të na shpërbërë, për të qenë thjesht individë dhe konsumatorë sepse kështu na kanë më të thjeshtë, më të lehtë e kanë për të na zotëruar”, theksoi ndër të tjera në mesazhin e tij Imzot Anastasi.

Mesazhi i plotë i Mitropolitit të Korçës, Imzot Anastasi:

“Duhet të kujdeseni për fëmijët tuaj. Jeni të bindur që askush nuk kujdeset siç kujdeseni ju, sepse keni rrënjët, keni besimin, keni traditën, keni shembullin e të parëve. Dhe fatkeqësia juaj më e madhe që keni për fëmijët sot e dini kush është? Sepse shkolla nuk është më në krahun tuaj. Sepse në shkollë do t’i mësohet fëmijëve tanë që nuk ka rëndësi se çfarë je, ka rëndësi se si ndihesh.

Dhe ata do ta orientojnë, në një përqindje shumë të madhe, që fëmija të mos ndihet ashtu siç është. Kështu që keni një barrë të madhe që t’i ofroni tek Perëndia fëmijët tuaj ashtu siç ua dha: të pastër, të shëndetshëm, jo vetëm trupërisht, por shpirtërisht mbi të gjitha. Të mençur, të formuar jo vetëm duke i çuar nëpër kurse matematike, anglishte e në çfarëdo lloj shkence, patjetër që të gjitha duhen.

Neve qëndrojmë të qetë, mendojmë se nuk do të vijë asnjëherë te ne kjo punë. Por ata që kemi përballë nuk janë njerëz që rastësisht e bëjnë këtë gjë, nuk janë njerëz që ngrihen në mëngjes edhe thonë ‘hajde çfarë mundemi të bëjmë sot’. Jo, janë njerëz që kanë agjenda të mirëcaktuara, dhe kanë vënë në syrin e tyre, si qëllim të tyre, fëmijët tuaj, familjen tonë, për të shkatërruar shoqërinë tonë, për të na shpërbërë, për të qenë thjesht individë dhe konsumatorë sepse kështu na kanë më të thjeshtë, më të lehtë e kanë për të na zotëruar.”