Dështon mbledhja e Këshillit Bashkiak të Elbasanit, PD: U shmang debati për “Paketën e Maleve”

0

Mbledhja e planifikuar e Këshillit Bashkiak të Elbasanit ka dështuar të zhvillohet për shkak të mungesës së kuorumit, duke sjellë reagime të menjëhershme nga opozita lokale.

Përmes një deklarate për mediat, këshilltarët e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak, Artan Kana dhe Bianka Copja, e cilësuan mungesën e këshilltarëve si një veprim të dirigjuar politikisht, me qëllim shmangien e diskutimit të disa çështjeve të rëndësishme në rendin e ditës.

Sipas tyre, një nga pikat që ka ndikuar në moszhvillimin e mbledhjes ishte diskutimi i projektit të njohur si “Paketa e Maleve”, një nismë që, sipas opozitës, kërkon transparencë të plotë dhe debat publik.

Këshilltari demokrat Artan Kana deklaroi se opozita ka ngritur shqetësime mbi mënyrën e përzgjedhjes së përfituesve dhe pretendoi se në listat përkatëse figurojnë persona të lidhur me mazhorancën. Ai theksoi se Partia Demokratike do ta ndjekë këtë çështje deri në fund dhe nuk do të lejojë që vendimmarrje të tilla të kalojnë pa u shqyrtuar publikisht.

Në mbështetje të këtyre pretendimeve, Kana kërkoi që procesi të jetë i hapur dhe i aksesueshëm për qytetarët, duke garantuar sipas tij barazi dhe transparencë për të gjithë aplikuesit.

Ndërkohë, mbledhja e Këshillit Bashkiak nuk mundi të zhvillohej pasi nga 50 këshilltarë që përbëjnë organin vendimmarrës vendor, vetëm 23 ishin të pranishëm në sallë, numër i pamjaftueshëm për të plotësuar kuorumin e nevojshëm.

Për këtë arsye, kryetari i Këshillit Bashkiak vendosi shtyrjen e mbledhjes për një datë tjetër, kur pritet të rikthehen për diskutim të gjitha pikat e mbetura në rendin e ditës.