TIRANË- Moderatorja Oriela Nebiaj duket se ende nuk e ka ndarë mendjen për t’ju bashkuar kolegëve demokratë në Kuvend apo jo. Pas lënies së mandatit nga Grida Duma, e radhës në listë është Nebiaj për t’u bërë deputete, por duket se nuk ka vendosur nëse do ta pranojnë të futet në Kuvendin e Shqipërisë si deputete e Partisë Demokratike. Me anë të një postimi në rrjetet e saj sociale, ajo bëri me dije se akoma nuk ka një vendim, ndryshe nga çfarë aluduar sot në media.
Komunikim i rëndësishëm kryesisht për median.
Kur u përfshiva në politikë pata kohën e duhur për t’u menduar e për të marrë vendimin për t’u angazhuar në fushatë. E bëra me gjithë zemër jo vetëm për të mbështetur forcën time politike por edhe ata mijëra njerëz që me votën e tyre e përkrahën angazhimin tim politik. Për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur ditët e fundit çështje e mandatit është rikthyer me një peshë e përgjegjësi edhe më të madhe për mua. Por përtej titujve që kanë pushtuar portalet dhe me gjithë rrethanat e ndryshuara më duhet të marrë sërish kohën time për të arritur në një vendimmarrje që të jetë në baraspeshë me besimin që mijëra votues më dhanë në zgjedhje por edhe me marrëdhënien me kontratën që kam me familjen time mediatike. Çdo gjë në jetë do kohën e saj…
Ori Nebiaj ishte e 18-ta në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së, në Tiranë. Pavarësisht se mori rreth 5600 vota, ajo nuk u zgjodh deputete përmes thyerjes së herësit dhe demokratët nxorën 15 deputetë nga kryeqyteti. Por me vendimin që mori dje Duma, duket se tani Kuvendi ka një vend për moderatoren, e cila drejton programin “Për’puthen” në TopChannel.