Këtë të enjte në GJKKO është mbajtur seanca e radhës e dosjes “Partizani”, ku i pandehur është kreu i PD-së Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, të cilët akuzohen për korrupsion.
Avokatët e këtyre të fundit, kanë kërkuar që si dëshmitar në këtë dosje, të thirret edhe kryeministri Edi Rama, kërkesë që mësohet se nuk është kundërshtuar nga Prokuroria e Posaçme.
Sipas mbrojtësve ligjorë të Berishës dhe Malltezit, Rama ka bërë ndryshimin e destinacionit të klubit sportiv Partizani në kohën kur ishte kryebashkiak i Tiranës, ndërsa theksojnë se për këtë çështje, kreu i qeverisë nuk është pyetur asnjëherë.
Prokurorët e SPAK nuk e kundërshtuan kërkesën, por e lanë në dorë të gjykatës nëse Edi Rama do të japë dëshminë në çështje ku akuzohet rivali i tij kryesor politik.
Prokurorët i kërkuan GJKKO që të rrëzojë kërkesën e avokatëve të pandehurve, për pavlefshmëri të provave, e cila në thelb do të rrëzonte procesin.
“Kërkojmë që këto pretendime të mos merren parasysh dhe të rrëzohen”, mësohet të kenë thënë prokurorët.
Në datën 15 prill, Gjykata e Posaçme do të marrë vendimin për kërkesat e avokatëve të Berishës dhe Malltezit.





