Zgjedhjet e 11 majit sollën një humbje të thellë për opozitën në vend, që duket se ka krijuar një “krisje” në koalicionin “PD- Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Prej kohësh përflitet për një “ftohje” të raportit mes Sali Berishës dhe Ilir Metës, e një shenjë për këtë ishte dhe zgjedhja e kreut të PL-së, për t’u përfaqësuar nga një avokati ri. Më herët ai përfaqësohej nga avokati Genc Gjokutaj, i njëjti që përfaqësonte dhe Berishën.
Megjithatë, tashmë ai përfaqësohet nga avokat, Kujtim Cakrani, i cili ishte sot i ftuar edhe në emisionin “Breaking”. Ai tha se nuk mund të flasë për krizën e mundshme mes Metës dhe Berishës, por foli për zgjedhjet, që i cilësoi si votime nën terror.
“Unë jam zgjedhur ta përfaqësoj juridikisht, jo politikisht prandaj nuk mund të flas për raportin e zotit Meta me Berishën. Sa i përket zgjedhjeve, kam thënë që nuk kishte zgjedhje, por ishte vjedhje. Ky proces u krye nën një terrorizëm. Shqiptarët kanë votuar në terror, nuk kanë votuar të lirë apo me mendjen e tyre. Këtë shpjegim di të jap unë. “- tha ai.