“Abuzime seksuale ndaj palestinezëve”, Izraeli paralajmëron padi ndaj New York Times

0

Izraeli ka paralajmëruar ngritjen e një padie ligjore ndaj gazetës amerikane The New York Times, lidhur me një shkrim të publikuar nga gazetari Nick Kristof, e cila trajtonte pretendimet për abuzime seksuale ndaj të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.

Sipas deklaratës të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Oren Marmorstein, përmbajtja e shkrimit është konsideruar nga autoritetet izraelite si e pavërtetuar dhe potencialisht shpifëse, duke dëmtuar imazhin e shtetit izraelit dhe institucioneve të tij të sigurisë. Tel Avibi ka theksuar se qeveria po vlerëson hapat ligjorë që mund të ndërmerren kundër medias amerikane, në lidhje me këtë publikim.

Çështja lidhet me një opinion, ku Kristof ka ngritur shqetësime mbi raportime dhe akuza që pretendojnë keqtrajtim të të ndaluarve palestinezë në disa objekte ndalimi në Izrael.

Këto pretendime kanë shkaktuar reagime të forta diplomatike dhe politike, duke rihapur debatin ndërkombëtar mbi trajtimin e të burgosurve në luftën izraelito-palestineze.

Nga ana e saj, pala izraelite ka kundërshtuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar si të pabazuara dhe duke theksuar se sistemet e saj ligjore dhe ushtarake veprojnë sipas standardeve ndërkombëtare.

“Ne do t’i luftojmë këto gënjeshtra si në gjykatën e opinionit publik, ashtu edhe në gjykatë. E vërteta do të triumfojë”, është shprehur kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Megjithatë, ai nuk dha detaje se ku dhe kur mund të ngrihet kjo padi. Kjo nuk është hera e parë që Netanyahu kërcënon me veprime ligjore ndaj gazetës amerikane.

Edhe në gushtin e vitit të kaluar ai kishte paralajmëruar padi ndaj The New York Times për një artikull që trajtonte çështjen e urisë në Gaza, por ajo nuk u realizua.