LIBRAZHD – Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të enjteje në aksin kombëtar Prrenjas–Librazhd, ku një motoçikletë është përplasur me një automjet në lëvizje.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”, një segment rrugor i konsideruar problematik për qarkullimin dhe sigurinë rrugore.
Sipas informacioneve paraprake, në motoçikletë udhëtonin dy persona, drejtuesi dhe pasagjeri, të cilët mbetën të plagosur rëndë pas përplasjes së fortë, duke pësuar fraktura të shumta në trup.
Burime bëjnë me dije se të plagosurit janë dy adoleshentë, njëri banues në fshatin Hotolisht dhe tjetri nga zona e Polisit, në Librazhd.
Menjëherë pas aksidentit, të rinjtë u transportuan drejt Spitalit Rajonal të Elbasanit, por për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, mjekët vendosën dërgimin e tyre me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Ndërkohë, policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.





