Emigrimi i shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe ka parë mënyra prej më të shumëllojshmeve, që prej ikjes ilegale në kamionë mallrash, apo edhe përmes metodave të fundit të kalimit të kanalit të La Manche me gomone.
Por një 17-vjeçar shqiptar, ka zgjedhur ‘vdekjen’ për të shkuar drejt ishullit!
Me një pagesë prej 9 mijë paundësh, ai i ka siguruar vetes kalimin brenda një arkivoli, për në Mbretërinë e Bashkuar dhe kjo, nuk është shaka, por e vërtetë.
Prej aty, arkivoli është futur në një furgon dhe më pas është kërkuar të kalohet përmes portit të Dunkirk.
Mirëpo, në kontrollin rutinë në doganën franceze, oficerët e kanë pikasur anomalinë dhe kanë gjetur brenda pikërisht adoleshentin shqiptar.
Sipas pretendimit të këtij të fundit, ka qëndruar rreth një orë brenda arkivolit, i cili ishte futur në furgon së bashku me kuti të tjera të drunjta, për të mos rënë në sy.
Autoritetet franceze megjithatë, nuk kanë ndërmarrë veprime ligjore ndaj 17-vjeçarit dhe e kanë lënë të lirë atë.
Teksa, drejtuesi i mjetit, një shtetas rumun, ka pretenduar se ai nuk ka pasur asnjë lloj ideje se çfarë gjendej në bagazhin e furgonit. Aq më pak se një person, ishte futur brenda një arkivoli aty.