AF Elbasani nis përgatitjet në Greqi, humbet ngushtë ndaj AEL F.C. në miqësore

0

 

AF Elbasani ka nisur zyrtarisht fazën përgatitore për sezonin e ri 2025-2026 dhe po e zhvillon këtë periudhë përgatitore jashtë kufijve, në Greqi. Skuadra verdheblu do të qëndrojë në tokën helene deri më datë 8 gusht 2025 duke shfrytëzuar klimën dhe kushtet e mira për të arritur formën fizike më të mirë të mundshme për sfidat që i presin në kampionatin e Superiores.
Në kuadër të kësaj faze, sot pasdite AF Elbasani zhvilloi një ndeshje miqësore ndaj ekipit grek AEL F.C., ku u mund minimalisht me rezultatin 1-0. Goli vendimtar për ekipin grek u shënua në minutën e 82-të duke i mohuar verdhebluve një rezultat pozitiv në këtë përballje testuese.
Megjithatë, trajneri Ivan Gvozdenoviç dhe stafi teknik e konsiderojnë ndeshjen si një mundësi të mirë për të parë në veprim grupin e lojtarëve dhe për të vlerësuar elementët që kërkojnë përmirësim. Sipas burimeve pranë klubit, gjatë qëndrimit në Greqi priten edhe të paktën dy miqësore të tjera me ekipe vendase të cilat do të shërbejnë për të testuar skema të ndryshme taktike dhe për të rritur harmoninë brenda skuadrës.AF Elbasani synon të jetë sa më konkurrues në sezonin e ri dhe kjo periudhë intensive përgatitore është hapi i parë drejt realizimit të objektivave.Aktualisht te AF Elbasani janë bërë tri afrime deri tani gjatë merkatos së verës, përkatësisht ,portieri çek, Martin Janaçek, mesfushori Donart Ibraimi dhe sulmuesi izraelit, Roi Ben Shimon dhe shpresohet të ketë edhe përforcime të tjera deri në fillimin e kampionatit.