Agim Çerma, “Eskobari” shqiptar i drogës, që transportonte kokainë me avion nga Kolumbia në Europë kishte kohë që ishte pikasur edhe nga autoritetet shqiptare.
Policia kishte nisur disa letërporosi në Kolumbi, duke i vënë në dijeni për dyshimet mbi trafikun ndërkombëtar të drogës. Aktiviteti i Çermës në Kolumbi doli pas shkatërrimit të disa bandave të drogës në vend.
Drejtuesi i organizatës Agim Çerma në Shqipëri është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje. Çerma është dënuar nga Gjykata e Elbasanit në vitin 1998 për vrasjen e Gëzim Liçit dhe plagosjen e efektivëve të policisë. Në atë kohë, u arrestua dhe vëllai i Agimit, Gazmend Çerma, i cili u dënua me 11 vite burg. Rreth dy muaj pas vrasjes Agim Çerma takohet në Elbasan me kushëririn e tij, Kudret Gosenin për të pirë kafe. Pasi kanë dalë nga lokali hipën në makinën Audi të Gazmend Çermës, vëllait të Agimit.
Pranë bustit të Kostandin Kristoforidhit, një mjet “Benz” u ka ardhur përballë. Për të shmangur përplasjen, Gazmendi hipën në trotuar me makinë dhe më vonë për të zbuluar se kush ishte ky person e ndjek nga pas. Duke qenë se Gazmend Çerma lëvizi në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, një patrullë policie i bëri shenjë për të ndaluar, por ai vijoi rrugën.
Por, ku arrijnë në vendin e quajtur “Tabakane”, hasin makinën “Benz” që më herët i kishte provokuar. Në atë moment, Gazmendi del nga makina dhe qëllon me automatik drejt këtij mjetit pa e ditur që në të ndodhej Gëzim Liçi, i cili mbeti i vrarë. Pas ngjarjes, ata shkojnë në shtëpinë e tyre. Për shkak të frikës nga hasmëria, vendosën të largoheshin.
Në këto momente ata janë përballur me forcat e policisë të cilat kishin shkuar për ti arrestuar. Në dosje thuhet se Gazmendi iu ngjit në tarracë dhe ka qëlluar me antitank në ajër. Për pasojë kanë mbetur të plagosur disa efektivë të policisë. Gazmendi ka mundur t’u shpëtojë.
Në banesën e tyre, policia gjeti disa armë të ndryshme, për të cilat vëllezërit Çerma më vonë argumentuan se i mbanin pa leje për shkak të hasmërisë që kishin pasi i vranë vëllain në ’97.
Kujtojmë se Agim Çerma u arrestua në avion privat së bashku me William Cruz Pérez, Pedro Antonio Penagos Londoño, Jairo Fernando Cardona López dhe Edwin Durlandy Montilla González. Gjatë procesit të kapjes, u kapën më shumë se 333 kilogramë kokainë dhe më shumë se 2,000 milion pesos.
Marrë nga abcnews