Klinë, 17 Shkurt 2025 – Një aksident trafiku i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Rixhevë të Komunës së Klinës, ku janë përfshirë pesë automjete. Si pasojë e përplasjes, janë plagosur 9 persona, mes të cilëve edhe dy fëmijë.
Zëdhënësi i Policisë së Pejës, Driton Rugova, konfirmoi për mediat se aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:10 dhe se të lënduarit janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor.
“Sot rreth orës 18:10, Policia ka marrë informacionin për një aksident që ka ndodhur në fshatin Rixhevë, Klinë. Në këtë aksident ishin të përfshira pesë automjete dhe si pasojë e tij, 9 persona kanë pësuar lëndime trupore, ku dy prej tyre janë fëmijë. Të lënduarit janë dërguar për ndihmë mjekësore në emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë,” – tha Rugova.
Policia ka nisur hetimet për të sqaruar shkaqet e këtij aksidenti dhe po punon për të siguruar informacion të mëtejshëm mbi gjendjen shëndetësore të të lënduarve.