Aksident i rëndë në Lushnje/ AMG-ja përplas furgonin e pasagjerëve dhe merr flakë

0

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur gjatë mesnatës në autostradën Fier–Lushnjë, pranë fshatit Saver, ku janë përfshirë dy automjete: një furgon pasagjerësh dhe një automjet tip Benz AMG 63.

Sipas informacioneve paraprake, automjeti AMG 63, duke lëvizur me shpejtësi të madhe, është përplasur nga pas me furgonin që transportonte pasagjerë në itinerarin Vlorë–Tiranë, me destinacion Aeroportin e Rinasit.

Përplasja ka qenë shumë e fortë, duke bërë që automjeti AMG 63 të marrë flakë dhe të përfundojë në anën tjetër të kanalit kullues, pasi theu barrierat mbrojtëse. Ndërkohë, furgoni është shtyrë rreth 100 metra larg nga vendi i përplasjes.

Nga aksidenti janë plagosur 7 persona, 3 prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Të plagosurit janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Lushnjes, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë rrugore, të cilat po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Paraprakisht dyshohet se shpejtësia tej normave të lejuara ka qenë shkaku kryesor i përplasjes.