Aksident me Jet Ski te Shkëmbi i Kavajës, i riu humbi jetën, e dashura në gjendje kritike

0

Durrës, 1 qershor 2025 – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme përballë zonës së Shkëmbit të Kavajës, ku dy shtetas që lundronin me një Jet Ski kanë rënë në det si pasojë e humbjes së kontrollit mbi mjetin lundrues.

Sipas të dhënave paraprake nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, dy shtetasit, banues në Angli, dyshohet se gjatë manovrave me Jet Ski kanë përfunduar në ujë.

Pas njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë me mjet lundrues për t’u ardhur në ndihmë dhe i transportuan ata drejt portit, ku ndodhej në pritje edhe ekipi i urgjencës mjekësore.

Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë, 34-vjeçari Asare Obeng, u konstatua pa shenja jete nga mjekët, ndërsa shoqëruesja e tij, 31-vjeçarja Vera Buame u dërgua me urgjencë në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Grupi hetimor i ngritur posaçërisht për këtë rast, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes tragjike.