Një aksident rrugor është regjistruar pak minuta më parë në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas, në afërsi të urës së Bushtricës, ku një automjet është përmbysur në anë të rrugës.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin e automjetit, duke dalë nga korsia e lëvizjes. Për pasojë, mjeti është përmbysur, por fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar apo viktima.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet procedurale për të sqaruar shkaqet e aksidentit, si edhe për të garantuar mbarëvajtjen e qarkullimit rrugor.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal, veçanërisht në segmente problematike të rrugës, pranë urave dhe kthesave, ku një moment pakujdesie mjafton që gjithçka të dalë nga kontrolli.





