DURRËS- Banorët e zonës së ish-kënetës, vendit ku ndodhi aksidenti tragjik i cili u mori jetën dy të miturve dhe plagosi rëndë një të tretë, janë ngritur ditën e sotme në protestë. Me pankarta në duar dhe lot në sy, ata kanë nisur marshimin nga vendi ku ndodhi aksidenti për të shkuar më pas para ambienteve të bashkisë të Durrësit. Ata jo vetëm që kërkojnë drejtësi nga autoritetet përkatëse, por duan edhe një park lojrash në mënyrë që fëmijët të luajnë të sigurt
“Dy jetë të mitura u fikën, ku është drejtësia?”, “Dy engjëjt në qiell nuk ishin vetëm numra, ishin fëmijë”, “Duam park për fëmijët”, “Kjo plagë nuk mbyllet pa drejtësi”, këto janë disa nga shkrimet që qytetarët mbajnë në duar.
Si ndodhi ngjarja e rëndë?
Aksidenti i rëndë u shënua mesditën e 3 majit në zonën e ish-kënetës në Durrës, ku Nikoll Radaçi, teksa drejtonte automjetin tip “Mercedes-Benz ML” me shpejtësi të lartë, përplasi tre fëmijët të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç, që ndodheshin në trotuar. Dy prej tyre, 10 dhe 12 vjeçari, ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa 8-vjeçari u dërgua në gjendje të rëndë në spital.
Radaçi rezultoi në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, duke pretenduar se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve. Ndërkohë që nga testet e alkoolit është zbuluar se 57-vjeçari drejtonte mjetin në gjendje të dehur, me nivel 0.73 mg/l. Kjo nuk është hera e parë që 57-vjeçari ecte në gjendje të dehur në makinë dhe me shpejtësi. Më parë atij i është pezulluar dy herë patenta në vitin 2020 dhe 2022





