Aksion në Gjirokastër/ Arrestohen 12 persona për trafik droge, e pësojnë dhe dy efektivë policie

0

GJIROKASTËR- Ka shkuar në 17 numri i personave të arrestuar në Gjirokastër për kultivim dhe shpërndarje droge.

Ky operacion është zhvilluar ne tre faza, ndërsa vetëm në fazën e fundit janë prangosur 12 persona (10 prej tyre me masë sigurie “Arrest në burg” ndërsa 2 me masë sigurie “Arrest në shtëpi”).

Sipas Policisë, ata janë pjesëtarë të një grupi kriminal të implikuar në shitjen e lëndëve narkotike, në qytetin e Gjirokastrës.

Gjatë kontrolleve të ushtruara, janë gjetur dhe sekuestruar shuma të konsiderueshme vlerash monetare, lëndë narkotike Cannabis dhe Kokainë, municion luftarak, celularë, automjete, dokumente të falsifikuara, mallra kontrabandë etj.

Gjithashtu, në bashkëpunim me AMP, janë pezulluar nga detyra dy punonjës policie në PKK Kakavijë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre. Të tjerët janë arrestuar në dy fazat e para.