Edmond Perdoda është arrestuar nga forcat RENEA. 39-vjeçari ishte në kërkim për vrasje të dyfishtë, krim i ndodhur në vitin 2020, aty ku mbeti i vrarë Preng Simoni dhe Kol Murrani. Me dron forcat RENEA bënë lokalizimin e të riut i cili ndodhej në banesën e tij në fshatin Lalm. Përdoda së bashku me vëllain e tij Aleksandër Përdodën, vranë në vitin 2020 Preng Simonin dhe Kol Murranin. Murrani ishte banor i fshatit dhe rapsod i njohur i zonës së Lezhës.
SI NDODHI NGJARJA?
Kol Murrani dhe Preng Simoni u ekzektuan me armë zjarri, më 27 prill, në fshatin Lalm të Vjetër në Lezhë. Të dy u gjetën të pajetë nga djali i një prej viktimave, i cili lajmëroi edhe autoritetet. Në burg në lidhje me këtë ngjarje është lënë Aleksandër Përdoda Agron Lushi. Si motiv për ngjarjen dyshohet te këtë qenë një konflikt pronësie për një toke are në fshatin Lalm.
NJOFTIMI I POLICISË:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Lalm i Ri”, për kapjen e një shtetasi shumë të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Operacioni i zhvilluar nga strukturat e DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA. Kapet dhe vihet në pranga 39-vjeçari i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe një sasi baruti. Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi shumë të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ka mirorganizuar punën për kapjen e tij. Në këtë kuadër është finalizuar me sukses operacioni policor “Lalm i Ri”, si rezultat i të cilit është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit E. P., 39 vjeç, banues në Lalm, Lezhë, i dënuar më parë në shtetin grek, për veprën penale “Vrasja”, dhe në Shqipëri, për armëmbajtje pa leje dhe shkatërrim prone. Gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe një sasi baruti. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka lëshuar urdhër ndalimi, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, sepse dyshohet që në bashkëpunim me vëllanë e tij, shtetasin A. P. (i arrestuar me parë), kanë vrarë me armë zjarri shtetasit K. M. dhe P. S. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.