“Akt i rëndë i organizuar direkt nga Rama!” Berisha: Veliaj ka ikur në drejtim të panjohur!

0

TIRANA- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë sot me një deklaratë për mediat ku tha se ka lajme të shumta se kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj pasi mori zyrtarisht një seri akuzash, të cilat shkonin për përmasat e krimit nga 20 në 35 vite burg, sot në ora 5:15 të mëngjesit është nisur jashtë vendit. Berisha shton se sipas thashethemeve Veliaj është nisur drejt SHBA-ve, por në të vërtetë, thotë ai, drejtimi është i panjohur.

Gjithashtu Berisha thotë se ky është një akt nga më të rëndët në historinë e një shteti, i organizuar, i orkestruar, sipas tij, nga kryeministri Edi Rama sepse Veliaj është bashkautor dhe dëshmitar i vjedhjeve më të mëdha që Rama ka bërë në Shqipëri.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Lajme të shumta bëjnë të ditur se Erion Veliaj, bashkëpronari i vërtetë i djegësit të Tiranës, që mungon, i pyllit 1 milion pemë që nuk ekziston, i modelit të vjedhjes 100 përqind me 5D, pasi mori zyrtarisht një seri akuzash, të cilat shkonin për përmasat e krimit nga 20 në 35 vite burg, sot në ora 5:15 të mëngjesit është nisur jashtë vendit, sipas thashethemit për në SHBA, por në të vërtetë drejtimi është i panjohur.

Zonja dhe zotërinj, ky është një akt nga më të rëndët në historinë e një shteti, i organizuar, i orkestruar direkt nga Edi Rama. Kjo sepse Erion Veliaj është bashkautor dhe dëshmitar i vjedhjeve më të paimagjinueshme, më të pallogaritshme, më të mëdha që Edi Rama ka bërë në Shqipëri gjatë këtyre 12 viteve së bashku me Erion Veliajn dhe organizatën e tij kriminale.
Edi Rama bllokoi lëshimin e urdhër-arrestit ndaj Erion Veliajt, bllokoi lëshimin e sekuestrimit të pasaportës dhe ndalimit për të dalë jashtë shteti dhe de facto ai e përcolli atë në drejtim të paditur në mënyrë që shqiptarët të mos mësojnë fatin e qindra e qindra milionë euro të vjedhura nga Edi Rama dhe Erion Veliaj në djegësin e Tiranës, në aferën 5D, por dhe në të gjitha lejet e ndërtimit në territorin e Tiranës, kullat gjigante në të cilat flitet rëndom se Edi Rama ka 30 përqind të pronësisë.

Me këtë rast, unë kërkoj në mënyrën më urgjente rikthimin e Erion Veliajt në Tiranë. Dënoj në mënyrën më të ashpër këtë akt superskandaloz. Rikujtoj qytetarët shqiptarë se Erion Veliaj ishte thirrur të paktën 3 herë për orë të tëra në Skapin e partisë dhe herën e fundit, ai u njoh me dokumente të cilat besonte se nuk ia dinte kush mbi tokë. Herën e fundit, ai u gjet para pohimeve të bashkëshortes dhe vëllait të tij, të cilat e inkriminonin atë në mënyrë fatale. Herën e fundit, Erion Veliaj u vendos para dokumentave, llogarive bankare, të cilat janë vetëm maja e ajsbergut e parave të vjedhura prej tij. Të gjithë të dhënat flasin se ai depozitat më të mëdha i ka në Dubai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu