Akt vandal! Dhunohet Kalaja e Lezhës, shkulen 1 m3 gurë dhe hidhen mbi biletarinë

0

Policia e Lezhës po heton rastin e fundit të dhunimit dhe dëmtimit të kalasë së qytetit, ku mbrëmjen e djeshme u konstatua se janë shkulur disa prej gurëve të këtij objekti dhe janë hedhur në zonën ku ndodhet biletaria. Akti i paprecedentë ka tronditur punonjësit dhe specialistët e trashëgimisë kulturore.

Njëri prej specialistëve të objekteve me rëndësi historike në Lezhë bëri me dije për mediat se janë shkulur rreth 1 m3 gurë nga muret e kalasë dhe janë hedhur në vendin e biletarisë. Ai shtoi se konstatimi i këtij akti vandal u bë mëngjesin e sotëm.

“Është një dëm i madh që konsiston si në prishjen e mureve të kalasë por dhe dëmtimin e pronës publike. Dhunimi i tmerrshëm ndaj kalasë nuk kam fjalë ta përshkruaj. Nuk e gjej dot burimin e kësaj urrejtje për të shkatërruar dhe prishur kalanë. Ne e konstatuam dhunimin sot kur pamë një metër kub material të hedhur nga lartësitë dhe shpresojmë që policia të kap autorët”, u shpreh specialisti i monumenteve në Lezhë për mediat.

Për ngjarjen në fjalë nuk ka persona të dyshuar apo të identifikuar për dëmtimin e Kalasë së Lezhës. Ajo i përket kohës së Ilirisë dhe ndodhet mbi një kodër me lartësi 186 m. Ajo mban statusin “Monument Kulture”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu