AKU bllokon 1200 kg pluhur toksik për ëmbëlsira, por 835 kg janë shitur dhe konsumuar!

0

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar produktin “Red Forest Fruit Cake”, i cili është një pluhur që përdoret për ëmbëlsira në vendin tonë pas një njoftimi të ardhur nga sistemi europian i alarmit për ushqimin RASFF. Sasia totale e këtij produkti të importuar në Shqipëri është 1200 kg.

RASFF sinjalizoi se në vendin tonë është futur pluhur ëbëlsirash me shije frutash me origjinë nga Turqia, brenda të cilit ndodhet pigmenti i rrezikshëm për shëndetin e njeriut.

Sipas njoftimit zyrtar të AKU, bëhet fjalë për pigmentin “e kuqe reaktive 141”, një substancë e paautorizuar për përdorim në ushqime dhe me rrezik potencial serioz për shëndetin, e identifikuar fillimisht nga autoritetet greke.

Inspektorët e AKU kanë arritur të bllokojnë 365 kg, ndërsa 835 kg e produktit që përbën risk me ndikim serioz në shëndetin e njeriut rezulton të jetë shitur dhe konsumuar.

‘Njoftim për konsumatorin nga RASFF. Në vijim të njoftimit të kategorisë njoftim informues për ndjekje nga sistemi RASFF ku pas kontrolleve të kryera nga Greqia, është konstatuar “Pigment i paautorizuar (e kuqe reaktive 141) në pluhur frutash, me origjinë nga Turqia”, duke përbërë risk me ndikim potencial serioz për shëndetin e njeriut, ju informojmë si vijon: AKU pas kryerjes së kontrolleve dhe ndjekjes së gjurmueshmësisë, ka bllokuar sasinë e gjetur në subjekte të produktit Red Forest Fruit Cake me destinacion asgjësimin’, thuhet në njoftimin e AKU.

Pigment i paautorizuar i konstatuar te ky produkt (e kuqe reaktive 141) është një bojë sintetike që përdoret kryesisht për ngjyrosjen e tekstileve, veçanërisht pambukut dhe fibrave natyrale. Ky pigment është rreptësisht i ndaluar të përdoret në ushqime dhe produkte kozmetike.