Akuzohet se mori ryshfet, arrestohet oficerja e policisë në Tiranë

0

Oficerja e policisë Arta Nazifi është arrestuar nën akuzën se ka marrë ryshfet. 47 vjeçarja kërkonte para kundrejt premtimit të lehtësimit të pozitave penale të personave që hetonte. Por më pas GJKKO ka caktuar masën “arrest në shtëpi”. Ndërkohë, po hetohet për persona të përfshirë në këtë veprimtari.

Njoftimi i policisë:

Tiranë – Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” për punonjësen e policisë A.N., me detyrë Specialiste në Sektorin Kundër Krimit Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

 

Caktimi i masës u bë pasi Drejtoria Rajonale e AMP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kreu hetime në kuadër të procedimit penal të vitit 2023, mbi dyshimet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Nga hetimet është krijuar dyshimi i arsyeshëm se 47-vjeçarja, në cilësinë e oficerit të Policisë Gjyqësore në Sektorin Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar, ka kërkuar e marrë një shumë monetare në formë ryshfeti, kundrejt premtimit të lehtësimit të pozitave penale të personave që hetonte.

Vazhdojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu