Tetëmbëdhjetë persona janë plagosur pas një “alarm të rremë zjarri” në një aeroplan të Ryanair në aeroportin e Palma de Majorkës, ndërsa pasagjerët e frikësuar u hodhën nga krahët, përmes daljeve të emergjencës.
Fluturim nga Aeroporti i Pama de Majorkës për në Mançester u “ndërpre” për shkak të një sinjali të rremë paralajmërues për zjarr, sipas Ryanair. Disa pasagjerë u lënduan ndërsa zbrisnin nga avioni përpara se të ktheheshin në terminal.
Pasagjerët u filmuan duke e braktisur aeroplanin nëpërmjet njërit prej krahëve të tij përpara se të hidheshin në pistë, ndërsa zjarrfikësit dhe policia nxituan në vendngjarje. Koordinatorët rajonalë të reagimit ndaj urgjencës mjekësore thanë se 18 persona kishin nevojë për ndihmë me “lëndime të lehta”.

Gjashtë prej tyre u desh të dërgoheshin në spital. Tre prej tyre thuhet se u dërguan në një klinikë private në Palma të quajtur Clínica Rotger dhe tre të tjerët në Spitalin Quironsalud Palmplanas, i cili ndodhet gjithashtu në kryeqytetin e ishullit.
Një punonjës i hutuar i aeroportit u dëgjua duke i thënë një kolegu në një mesazh me radio: “Avioni është gati të niset nga platforma dhjetë ose tetë dhe tani njerëzit po hidhen nga krahu në tokë. Diçka po ndodh, diçka po ndodh, po evakuojnë aeroplanin. Tani po vijnë zjarrfikësit.”
Edhe Ryanair konfirmoi se fluturimi ishte ndërprerë për shkak të një paralajmërimi të rremë për zjarr.

“Ky fluturim nga Palma për në Mançester , më 4 korrik, ndërpreu ngritjen për shkak të një sinjali të rremë paralajmërues për zjarr. Pasagjerët u zbritën duke përdorur rrëshqitëset e fryra dhe u kthyen në terminal.
Gjatë zbarkimit, një numër i vogël pasagjerësh hasën lëndime shumë të lehta (shtrëngime të kyçit të këmbës, etj.) dhe ekuipazhi kërkoi ndihmë të menjëhershme mjekësore.
Për të minimizuar ndërprerjet për pasagjerët, ne shpejt organizuam një avion zëvendësues për të operuar këtë fluturim, i cili u nis nga Palma në orën 07:05 të mëngjesit të sotëm. U kërkojmë ndjesë sinqerisht pasagjerëve të prekur për çdo shqetësim të shkaktuar”, njoftoi kompania.