Alarm! Prindërit marrin receta nga ChatGPT për fëmijët e sëmurë

0

Shqiptarët po e keqpërdorin chatGPT. Shumë prej tyre i drejtohen për të marr këshilla mjekësorë në rastet kur nuk ndihen mirë, por ka edhe raste ekstreme kur prindërit marrin receta mjekësorë për fëmijët e sëmurë, veçanërisht në rastet e virozave.

Alarmi ngrihet nga mjekët pediatër të cilët thonë se gjithmonë e më shumë po vizitojnë fëmijë me gjendje të rënduar pasi prindërit i kanë trajtuar me doctor chat-int. Mjeku i familjes, Dritan Hoxha shprehet se rastet më të shumta janë nënat e reja. Ai thekson se mjekimi nga ChatGPT-në është i rrezikshëm.

“Kemi patur shumë raste sidomos tek nënat e reja për trajtimin e fëmijëve të tyre që i drejtohen ChatGPT dhe ai ju jep një recetë të gatshme. Pasi kanë përdorur këtë mjekim drejtohen tek ne, në gjendje fëmija të rënduar, me komplikacione dhe nëna e pranon se ka përdorur mjekime nga ChatGPT. Kjo është diçka shumë e rrezikshme për jetën dhe shëndetin e fëmijëve”, tha ai.

Mjekët apelojnë që në të gjitha situata shëndetësore, duhet marrë konsultim me specialistin përkatës.

“Problemi i sëmundshmërisë nuk është thjeshtë që ti i vendos të dhënat ChatGPT dhe ai të jep recetën. Është mjeku që kryen një ekzaminim të pacientit, dëgjon mushkritë, gjë të cilat ChatGPT nuk mund ti bëjë”, shtoi mjeku Hoxha.

Shumë mjek kanë ngritur shqetësimin për mjekime të gabuara të marra nga vet pacientët edhe në moshë të rritur pasi kanë pyetur ChatGTP.