Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale në lidhje me një lajm të mirë përsa i përket krizës energjitike që ka përfshirë vendin.
Kurti ka bërë me dije se paraditen e sotme është rikthyer në punë blloku B2 i TC ‘Kosova B’, i cili do të bëjë që për çdo orë Kosova të paguajë rreth 50 mijë euro import më pak, e deri nesër në mëngjes rreth 1,2 milion euro më pak se gjatë ditëve të javës që po lëmë pas.
Sipas Kurtit ky është një lajm i mirë për të gjithë kosovarët, ndërsa ka shprehur edhe njëherë dëshirën e tij sikur të ishte në gjendje pune edhe TC ‘Kosova A’, që të ndihmonte shumë në uljen e ndikimit të krizës energjitike me të cilën po përballet Kosova së fundmi.
Reagimi i plotë i Albin Kurtit:
“Rreth 200 euro kushtoi 1 MWh në bursën ndërkombëtare të energjisë dje. Mirëpo sot në ora 10:15 u kthye në punë blloku B2 i TC ‘Kosova B’, me fuqi 245 MW. Sinkronizimi është bërë mbrëmë në ora 23:55, gjendja e turbinës është e mirë dhe nuk ka pasur nevojë për balancim. Me fjalë tjera, për çdo orë do t’i paguajmë rreth 50 mijë euro import më pak, e deri nesër në mëngjes rreth 1,2 milion euro më pak se gjatë ditëve të javës që po lëmë pas. Ky është lajm shumë i mirë për të gjithë neve. Eh sikur ta kishim tash TC ‘Kosova A’ të rindërtuar nga Bilfingeri gjerman dhe blloqet B3 dhe B4 me nga 300 MW fuqi secila!”, shkruan Albin Kurti në postimin e tij nw Facebook.