Alqi Bllako dorëzoi mandatin, Lindita Nikolla anulon mbledhjen e Këshillit të Mandateve

0

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka anuluar mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, për shqyrtimin e kërkesës së SPAK, për dhënie autorizimi për arrestimin e deputetit të PS, Alqi Bllako. 

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Kuvendi njofton se shkak për anulimin e mbledhjes është bërë dorëzimi vullnetar i mandatit nga Bllako.

“Në mbështetje të Urdhërit nr. 24, datë 30.03.2022,  të Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla “Për anullimin e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin”, mbledhja e Këshillit nuk do të zhvillohet.

Deputeti Alqi Bllako ka depozituar në Kuvend deklaratën për heqjen dore nga madadti i deputetit me vullnet të dhe për rrjedhojë Kuvendi nuk mund të vazhdojë procedurat për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar  për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit Alqi Bllako“, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Ndërkohë, PD ka reaguar pas vendimit të Kuvendit.

Demokratët kërkojnë mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit sipas njoftimit të mëparshëm, pra sot në orën 18:00.

Anëtarët demokratë në Këshillin e Mandateve, përmes një shkrese drejtuar kryetares së Kuvendit, kërkojnë zhvillimin e mbledhjes për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë, për dhënie autorizimi për arrestimin e deputetit socialist, Alqi Bllako.

Kërkesa është firmosur nga Ervin Salianji, Greta Bardeli, Saimir Korreshi, Gazment Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj.

Image