Ambasada bullgare në Tiranë, pritje me rastin e 3 marsit, festës kombëtare të Bullgarisë

0

Tiranë- Dita Kombëtare e Bullgarisë dhe 147 vjetori i Çlirimit të Bullgarisë u festuan nga Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Tiranë me një pritje, ku ishin të pranishëm miq të Bullgarisë – zyrtarë, diplomatë, politikanë, përfaqësues të biznesit, shoqatave të minoritetit bullgar, njerëz të shkencës, kulturës, komuniteteve fetare.

Në një fjalim të shkurtër ambasadori Sh. T. Z. Ivaylo Kirov kujtoi rëndësinë për çdo bullgar të 3 marsit, kur kujtohen vlerat e lirisë, unitetit dhe qëndrueshmërisë që lidhin popullin shqiptar me atë bullgar dhe në bazë të “historisë, aspiratave të përbashkëta dhe vizionit për të ardhmen, bashkëpunimit, solidaritetit dhe respektit të ndërsjellë, ne ndërtojmë lidhjet kulturore, ekonomike dhe njerëzore mes nesh”.

Kreu i misionit diplomatik tha se “Bullgaria ka qenë gjithmonë një mbështetëse e vendosur e rrugës evropiane të Shqipërisë”, duke shprehur bindjen se “progresi i Shqipërisë në këtë drejtim është i dobishëm jo vetëm për marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe për komunitetin më të gjerë evropian”. Të dy vendet ndajnë gjithashtu një vizion të përbashkët në lidhje me mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën, e cila po mbron sovranitetin dhe integritetin e saj territorial kundër agresionit rus.

Ambasadori Kirov shprehu gjithashtu mirënjohje për pakicën kombëtare bullgare në Shqipëri, e cila shërben si një urë lidhëse mes dy popujve tanë. “Trashëgimia e tyre e pasur kulturore dhe kontributet për shoqërinë shqiptare janë dëshmi e miqësisë së qëndrueshme dhe lidhjeve historike që ne ndajmë.”

Eventi, si gjithmonë, u zhvillua falë mbështetjes bujare të “First Investment Bank” – një partner kyç në ndërtimin e lidhjeve më të forta të biznesit midis Bullgarisë dhe Shqipërisë. Infoweb Media