KOSOVË- Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në OSBE, Neil Holland ka shprehur shqetësimin për situatën e sigurisë dhe atë politike në Kosovë. Holland në një mbledhje të mbajtur sot në Vjenë u shpreh se Mbretëria e Bashkuar vazhdon t’i nënvizojë Kosovës nevojën urgjente për formimin e qeverisë së re.
Ambasadori britanik shtoi se shteti i tij ndan shqetësime të theksuar në raportin e Misionit të OSBE-së, për nivelin e tensioneve në komunat veriore gjatë periudhës së raportimit. Ai tha se Mbretëria e Bashkuar është e shqetësuar për natyrën e pakoordinuar të mbylljes së institucioneve dhe objekteve në veri të Kosovës, të cilat ofrojnë shërbime jetike për serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera jo-shumicë.
“Mbretëria e Bashkuar ndan shqetësimet e theksuara në raportin e Misionit mbi nivelin e tensioneve në katër komunat veriore gjatë periudhës së raportimit. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar nga natyra e pakoordinuar e mbylljes së institucioneve dhe objekteve në veri të Kosovës, të cilat ofrojnë shërbime jetësore për serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera jo-shumicë.
Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të inkurajojë Qeverinë e Kosovës që të sigurojë që komunitetet jo-shumicë të mund të luajnë një rol të plotë dhe të barabartë në të ardhmen e vendit, dhe të mbështesë angazhimet e Kosovës si një shtet gjithëpërfshirës dhe shumetnik”, thaai.