Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato ishte i pranishëm në një takim me operatorë të biznesit ushqimor.
Në fjalën e tij, Gonzato vuri theksin te siguria ushqimore, që sipas tij, qëndron në bazën e shëndetit publik dhe është elemmenti kyç në besimin e konsumatorit.
Gonzato theksoi se kjo fushë është e rëndësishme edhe për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së, pasi lidhet me hyrjen në tregun europian.
“Mendoj se është një diskutim shumë i nevojshëm, për shkak se siguria ushqimore qëndron në bazën e shëndetit publik, besimin e konsumatorëve dhe mbi të gjitha arsyeja për të cilën jam këtu, integrimi i Shqipërisë në tregun europian. Siguria ushqimore nuk është vetëm një kërkesë teknike, por edhe një e mirë publike themelore që mbron qytetarët, duke siguruar që bizneset të konkurrojnë në mënyrë të drejtë. Në këtë kontekst, siguria ushqimore përfaqëson një nga fushat më komplekse dhe transformuese të reformës. Shqipëria ka hyrë tashmë në fazën e negociatava dhe tanimë, ecuria nuk matet më vetëm me qëllimet dhe legjislacionet, por sistemet që bazohen në rregullat e BE-së”,-tha Gonzato.





