“Amerika duhet të jetë udhëheqëse në Arktik”, Vance sulmon Danimarkën: Keni bërë pak për Groenlandën

0

Zv/presidenti amerikan JD Vance gjatë takimit me trupat amerikane në bazën hapësinore amerikane në Groenlandë, ka deklaruar se SHBA nderon sakrificat e ushtarëve danezë që luftuan me SHBA-në në “luftën kundër terrorit 20 vjet më parë”.

JD Vance e filloi fjalimin e tij duke falënderuar trupat e mbledhura që i bënë “një pritje të ngrohtë në një vend shumë, shumë të ftohtë”.

Duke iu drejtuar trupave amerikane, nënpresidenti JD Vance tha se “ne respektojmë vetëvendosjen e groenlandezëve”.

Ai shtoi se ka sjellë një mesazh nga presidenti Trump, për të cilin thotë se është “mirënjohës për shërbimin tuaj” dhe “krenar për ju”.

Zëvendëspresidenti Vance kritikoi Danimarkën, duke thënë se zona përreth bazës hapësinore Pituffik është “më pak e sigurt” sesa ishte 30-40 vjet më parë.

Ai tha se ndërsa Rusia dhe Kina janë “interesuar gjithnjë e më shumë për këtë bazë”, aleatët tanë në Evropë nuk kanë vazhduar.

Sipas zv/presidentit amerikan, partneritetet e rëndësishme të sigurisë nga e kaluara nuk do të thotë se ata nuk mund të kenë biseda të vështira me partnerët në të tashmen.

“Mesazhi ynë për Danimarkën është i thjeshtë, ju nuk keni bërë një punë të mirë për popullin e Groenlandës. Kjo është arsyeja pse politika e Trump është ajo që është”, tha Vance.

JD Vance tha se rajoni ishte më pak i sigurt tani dhe se politika e SHBA-së do ta ndryshonte këtë.

Refuzimi për të përjashtuar forcën ushtarake në Groenlandë

Zëvendëspresidenti u përpoq të minimizonte potencialin për marrjen e Groenlandës me forcë ushtarake, por nuk pranoi ta përjashtonte atë.

I pyetur nëse ishin hartuar plane për përdorimin e forcës ushtarake, ai tregoi se Shtëpia e Bardhë ka planifikuar të presë që njerëzit e territorit të votojnë për vetëvendosje përpara se të veproj.

Vance mendon se Groenlanda do të bëhet e pavarur nga Danimarka dhe më pas SHBA do të ndërmarrin veprime

Për marrjen e ndonjë veprimi në Groenlandë, JD Vance tha se SHBA do të presë që groenlandezët të bëhen të pavarur nga Danimarka.

“Ajo që ne mendojmë se do të ndodhë është se groenlandezët do të zgjedhin përmes vetëvendosjes për t’u bërë i pavarur nga Danimarka, dhe më pas ne do të kemi biseda me popullin e Groenlandës. Pra, unë mendoj se të flasësh për ndonjë gjë shumë të largët në të ardhmen është shumë e parakohshme. Ne nuk mendojmë se forca ushtarake do të jetë ndonjëherë e nevojshme”, tha ai.

SHBA dëshiron të udhëheqë në Arktik dhe thotë se ka të bëjë me sigurinë

Zëvendëspresidenti tha se baza amerikane në Groenlandë ka rëndësi pasi ky do të ishte vendi ku Amerika do të njoftohej nëse një raketë lëshohej nga një vend armik.

Ai tha se Rusia dhe Kina po interesoheshin për kalimet e Arktikut dhe ai duhej të siguronte që “Amerika të jetë udhëheqëse në Arktik”.

Për të vënë në dukje këtu, administrata e Donald Trump ka përmendur vazhdimisht shqetësimet e sigurisë së SHBA-së si forcën lëvizëse pas përpjekjes për të marrë kontrollin e Groenlandës, analistët kanë sugjeruar se motivimi i tyre i vërtetë është pasuria e madhe minerale e territorit.