ARGJENTINA- Argjentina ka ratifikuar vendimin e saj për t’u tërhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH teksa në Buenos Aires ndodhej sekretari amerikan i shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr.
Vendimi për t’u tërhequr nga OBSH-ja u njoftua fillimisht në shkurt nga presidenti i Argjentinës, Javier Milei, duke ndjekur hapat e homologut të tij amerikan Donald Trump, i cili kishte thënë në janar se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqeshin. Qeveria e Mileit e justifikoi largimin e saj nga agjencia e OKB-së në një deklaratë të hënën.
“Recetat e OBSH-së nuk funksionojnë sepse nuk bazohen në shkencë, por në interesa politike dhe struktura burokratike që refuzojnë të shqyrtojnë gabimet e tyre”, thuhet në deklaratë.
Buenos Aires e ka akuzuar më parë agjencinë për menaxhim “katastrofik” gjatë pandemisë Covid-19. Njoftimi erdhi ndërsa Kennedy dhe ministri argjentinas i shëndetësisë, Mario Lugones, u takuan për të përcaktuar një axhendë të përbashkët pune që do të forcojë transparencën dhe besimin në sistemin shëndetësor.
“Së bashku me Robert Kennedy-n, ne besojmë në të ardhmen e bashkëpunimit në shëndetësinë globale. Kemi vizione të ngjashme për rrugën përpara”, tha Lugones.
Në një video të transmetuar në asamblenë vjetore të OBSH-së javën e kaluar, Kennedy u bëri thirrje qeverive të tjera të tërhiqen nga agjencia dhe të krijojnë institucione të tjera. Në fjalimin e tij, Kennedy pretendoi se agjencia shëndetësore e OKB-së ishte nën ndikim të tepruar nga Kina, ideologjia gjinore dhe industria farmaceutike.
Qeveria argjentinase njoftoi gjithashtu një “rishikim strukturor” të agjencive kombëtare shëndetësore për të organizuar, përditësuar dhe bërë transparente strukturat dhe proceset e sistemit shëndetësor që për vite me radhë ka vepruar me mbivendosje, rregullore të vjetruara dhe mbikëqyrje të kufizuar.