Ky është momenti kur shefi i qarkullimit rrugor, Roven Zeka është paraqitur në drejtorinë vendore të Policisë Tiranë për tu vetëdorëzuar pas urdhër arrestit nga SPAK.
Në pamjet e siguruara duket teksa Zeka futet në polici pasi është informuar nga mediat për urdhër arrestin.
Ndaj 3 oficerëve të policisë së qarkullimit rrugor në Tiranë SPAK ka firmosur tre masa arresti për dyshimet e korrupsionit .
Siç bëhet me dije jo zyrtarisht shefi i komisariatit rrugor Roven Zeka, shefi i hetimit të aksidenteve automobilistike Sokol Novaku dhe oficeri i policisë rrugore Edison Tabaku dyshohen për korrupsion.
Në përgjime rezulton qe oficeri i këqyrjes së vendngjarjes ka përmendur dy eprorët e tij në policinë rrugore, për të ndryshuar rezultatet e një aksidenti automobilistik.
Çështja u hetua nga prokurorët e posaçëm që u vunë në lëvizje mbas një aksidenti rrugor në kryeqytet një ngjarje për të cilën ka dyshime se paratë i ka paguar një shtetase ndaj oficerit të policisë gjyqësore .
Mbetet ende e paqartë se sa është shuma e kërkuar dhe nëse ka patur pasojë në jetë prej këtij aksidenti.
Por ajo që shpjegohet është fakti se vendngjarjen e ka këqyrur oficeri Edison Tabaku, ndërkohë që më pas ka komunikuar me shefin e linjes për aksidentet Sokol Novaku po ashtu me urdhër ndalimi.
Dyshohet se mbante lidhje me kreun e qarkullimit rrugor që u emërua në këtë detyrë pak javë më parë.
SPAK nuk ka sjellë ende një njoftim zyrtar për detajet e hetimit ndërkohë që veprimet janë kryer nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.