Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan njoftoi një sërë masash procedurale ndaj disa shtetasve, të përfshirë në vepra të ndryshme penale, në kuadër të punës për parandalimin dhe ndëshkimin e paligjshmërisë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Librazhd arrestuan në flagrancë shtetasin L. P., 56 vjeç, pasi u kap duke transportuar lëndë drusore të prerë në mënyrë të kundërligjshme, me një kamionçinë që ai e drejtonte në gjendje të dehur.
Po nga ky komisariat, nisi procedimi penal për shtetasin A. Xh., 52 vjeç, i cili ka goditur me grushte shtetasin V. B., 45 vjeç, për motive të dobëta, si dhe për shtetasen F. B., 54 vjeçe, e cila u konstatua duke kryer ndërtime të paligjshme në pronën e saj.
Ndërkohë, nga Komisariati i Policisë Elbasan, u referuan materialet në Prokurori për shtetasit E. K., 47 vjeç, Xh. P., 24 vjeç dhe F. B., 24 vjeç, pas një konflikti fizik mes tyre, për motive të dobëta.
Në një tjetër rast, u shpall në kërkim shtetasi A. Ç., 41 vjeç, i cili nuk i ka kthyer një automjet një 36-vjeçari që ia kishte dhënë me mirëbesim. Vijon puna për kapjen e tij dhe gjetjen e automjetit.
Materialet procedurale për të gjitha rastet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme hetimore.