Elbasan, 2025 – Policia ka arrestuar dhe proceduar penalisht disa shtetas në qarqet Elbasan, Gramsh dhe Librazhd për vepra të ndryshme penale.
Në Gramsh, u arrestua në flagrancë shtetasi A. S., 50 vjeç, i cili, në gjendje të dehur, kanosi një shtetas dhe dëmtoi me sëpatë xhamin e derës së një biznesi dhe dy automjete.
Gjithashtu, 13 qytetarë janë proceduar penalisht pasi organizuan një protestë të paligjshme në rrugën “Lënie-Gramsh”, duke bllokuar kalimin e automjeteve të firmës që po punon për ndërtimin e hidrocentralit. Protestuesit kërkuan asfaltimin e rrugëve të zonës.
Ndërkohë, në Elbasan, është proceduar 29-vjeçari J. A., i cili akuzohet për goditjen me grushte të një shtetasi për motive të dobëta. Tre shtetas të tjerë, G. E., 47 vjeç, F. H., 52 vjeç dhe R. N., 56 vjeç, janë proceduar për ndërtim të paligjshëm.
Në Librazhd, dy gra, M. A., 41 vjeç dhe A. C., 55 vjeç, janë proceduar pasi u konfliktuan fizikisht mes tyre.
Po ashtu, Policia e Gramshit ka shpallur në kërkim një 17-vjeçar, i dyshuar për vjedhjen e një laptopi në një banesë.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.