Arrestime dhe procedime penale në Elbasan për dhunë dhe shkelje të rënda në qarkullim

0

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan njofton se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan kanë arrestuar në flagrancë shtetasin R. Z., 32 vjeç, pasi ka dhunuar fizikisht shtetasin A. R., 51 vjeç, duke e goditur me grushta dhe me send të fortë. I dëmtuari po merr trajtim mjekësor në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në kuadër të kontrolleve në qarkullimin rrugor, janë arrestuar në flagrancë edhe shtetasit:

A. K., 41 vjeç, i kapur duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi;

B. B., 54 vjeç, i konstatuar në gjendje të dehur gjatë drejtimit të automjetit.

Gjithashtu, materialet hetimore u referuan në Prokurori për shtetasit F. K., 34 vjeç dhe L. Ç., 37 vjeç, pas një aksidenti të ndodhur në aksin rrugor “Qukës-Golik”, ku automjetet që ata drejtonin u përplasën me njëri-tjetrin. Shtetasi L. Ç. u largua nga vendi i ngjarjes, por më pas u paraqit në komisariat. Si pasojë e përplasjes, tre pasagjerë që ndodheshin në automjetin e drejtuar nga F. K. pësuan dëmtime të lehta trupore.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme ligjore.