Elbasan, 27 prill 2025 –
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan njoftoi sot një sërë masash ndaj disa shtetasve për vepra penale të ndryshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin Z. M., 38 vjeç, pasi ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila tashmë është pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Ndërkohë, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:
D. O., 39 vjeç, banues në Tiranë, si dhe H. Sh., 37 vjeç dhe R. K., 40 vjeç, të dy banues në Elbasan, pasi u kapën duke drejtuar automjetet në gjendje të dehur.
E. S., 53 vjeç, i cili në fshatin Vulcan, duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi, humbi kontrollin dhe doli nga rruga. Si pasojë, ai pësoi dëmtime, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, u proceduan penalisht:
P. Ç., 23 vjeç, banues në Lushnje, pasi në aksin “Elbasan-Tiranë” u përfshi në një aksident rrugor ku mbetën të dëmtuar drejtuesi tjetër Sh. K., 24 vjeç dhe dy pasagjerë të tjerë. Të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.
E. Q., 20 vjeç, i cili në fshatin Marinëz të Belshit humbi kontrollin e automjetit dhe doli nga rruga, duke u dëmtuar lehtë.
Në vijim, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedim penal ndaj shtetasit F. C., 34 vjeç, pasi dyshohet se në gjendje të dehur ka kanosur kryeplakun e fshatit Polis, shtetasin K. S., 41 vjeç.
Po ashtu, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin nisën procedim penal ndaj shtetasit D. S., 76 vjeç, pasi u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.