Arrestime dhe procedime penale në Elbasan për drejtim mjeti në gjendje të dehur, aksidente dhe dhunë fizike

0

Elbasan, 2 qershor 2025 – Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan njofton për disa veprime të fundit procedurale dhe arrestime të kryera nga strukturat e saj, në kuadër të garantimit të sigurisë publike dhe qarkullimit rrugor.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin S. A., 37 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:

M. P., banues në Maqedoninë e Veriut, pasi në aksin rrugor “Librazhd-Prrenjas”, automjeti që drejtonte u përplas me mjetin e drejtuar nga F. M., 42 vjeç, banues në Prrenjas. Si pasojë e aksidentit, u dëmtuan lehtë shtetasi F. M. dhe një pasagjere që ndodhej në automjetin e M. P.;

një 12-vjeçar, i cili, duke drejtuar një motomjet pa leje drejtimi në fshatin Karinë, humbi kontrollin dhe u rrëzua, duke pësuar dëmtime të lehta.

Ndërkohë, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori për nisjen e procedimit penal ndaj shtetasve A. I., 25 vjeç, një 16-vjeçari, si dhe shpallën në kërkim shtetasin A. F., 42 vjeç. Të tre këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe për motive të dobëta, goditën me sende të forta shtetasit Th. N., 54 vjeç, dhe A. B., 50 vjeç, si dhe dëmtuan automjetin që ishte në përdorim nga Th. N.

Policia njofton se vijojnë kërkimet për kapjen e shtetasit A. F., ndërsa materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.