Arrestime, procedime penale dhe aksidente në qark. Kronika në 24 orë në Elbasan

0

Elbasan, 30 prill 2025 – Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan njofton mbi disa raste të ndodhura së fundmi në territorin e saj, që përfshijnë arrestime për drogë, drejtim mjeti në gjendje të dehur, ndërtime pa leje, konflikte mes qytetarëve dhe aksidente rrugore.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin A. Gj., 44 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.

Në fushën e sigurisë rrugore, u arrestua në flagrancë shtetasi A. B., 41 vjeç, i cili u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Ndërkohë, nisi procedimi penal për shtetasen R. S., 50 vjeç, e cila një ditë më parë, në aksin “Librazhd-Qafë Thanë”, u përplas me një tjetër automjet që drejtohej nga shtetasi A. Sh., 32 vjeç. Ky i fundit pësoi dëmtime, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Elbasan referuan në Prokurori materialet për shtetasit S. M., 56 vjeç, K. P., 57 vjeç, I. S., 44 vjeç dhe Q. B., 70 vjeç, të cilët u kapën duke kryer punime ndërtimi pa leje në pronat e tyre.

Në Librazhd, nisi procedimi penal për shtetasen V. M., 37 vjeç, pasi për motive të dobëta ka dëmtuar me sende të forta derën e banesës së shtetases S. B., 71 vjeçe.

Në Gramsh, për motive të ngjashme, është proceduar penalisht shtetasja N. P., 37 vjeç, e cila ka goditur me shuplakë një vajzë 9-vjeçare, pas një konflikti mes vajzës së saj dhe të miturës. Po në Gramsh, është proceduar shtetasi F. B., 41 vjeç, i cili ka penguar qarkullimin në aksin “Lënie-Gramsh” me pretendimin se një firmë ndërtimi kishte dëmtuar rrjedhën e ujit të pijshëm në fshatin e tij.

Të gjitha materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Aksident në mëngjesin e sotëm në aksin Elbasan–Peqin
Rreth orës 07:30, në aksin rrugor “Elbasan–Peqin”, një autobus me drejtues shtetasin E. H., 57 vjeç, u përplas me një automjet të drejtuar nga shtetasi A. L., 63 vjeç. Si pasojë e aksidentit, A. L. ka pësuar dëmtime të lehta. Me drejtuesin e autobusit po kryhen veprimet procedurale, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.