Arrestimi i 10 shtetasve për trafik armësh, Drejtori i Policisë së Shtetit bën postimin e posaçëm

0

Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka falënderuar efektivët e Tiranës për operacionin e kryer me sukses, që çoi në goditjen e një rrjeti të trafikimit të armëve nga Kosova në Shqipëri.

Sipas kreut të Policisë së Shtetit, këto janë rezultate që prodhojnë më siguri, rrisin besimin e qytetarëve dhe japin një mesazh të qartë për çdo individ apo grup që cenon rendin publik, jetën dhe pronën e qytetarëve.

Mesazhi i Prodës:

“Të nderuar kolegë të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë,

Dua t’ju përgëzoj për profesionalizmin dhe përkushtimin që treguat në operacionin e koduar “Puzzle”, i cili çoi në goditjen e një rrjeti të trafikimit të armëve nga Kosova në Shqipëri.

Finalizimi me sukses i operacionit është një dëshmi konkrete e angazhimit dhe përkushtimit të strukturave tona.

Arrestimi i 10 shtetasve dhe sekuestrimi i 14 armëve të zjarrit tregojnë se Policia e Shtetit është e vendosur në luftën kundër krimit të organizuar dhe armëmbajtjes pa leje.

Shpreh vlerësimin tim të plotë për oficerët dhe agjentët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe të Forcës Operacionale, si dhe për drejtuesit e DVP Tiranë, për bashkëpunimin dhe koordinimin e shkëlqyer me Prokurorinë e Tiranës.

Këto janë rezultatet që prodhojnë më siguri, rrisin besimin e qytetarëve dhe japin një mesazh të qartë për çdo individ apo grup që cenon rendin publik, jetën dhe pronën e qytetarëve.

Policia e Shtetit vijon të punojë çdo ditë për një Shqipëri më të sigurt, veçanërisht në prag të sezonit turistik, që duhet të jetë një pasaportë sigurie për të gjithë vizitorët dhe turistët nga mbarë bota.

Me respekt,

Drejtues Madhor Ilir Proda

Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit”.