Arrestimi i Aldi Mustafës, policia jep detaje: Po shkonte për të vrarë 1 shtetas

0

Njoftimi i Policisë:
Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Tentativa”.
Falë inteligjencës policore, Policia parandalon kryerjen e një vrasjeje nga një shtetas me precedent të theksuar kriminal dhe rrezikshmëri të lartë.
I armatosur me armë zjarri me silenciator, me të cilën po shkonte për të vrarë një shtetas, Policia kap dhe vë në pranga 37-vjeçarin, i dënuar më parë brenda dhe jashtë vendit, për armë, drogë, kanosje dhe tentativë vrasjeje.
Policia vë në pranga edhe një 29-vjeçar që shoqëronte 37-vjeçarin, në automjet.
Sekuestrohen një armë zjarri “Scorpion” me silenciator dhe një sasi fishëkësh luftarakë.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Durrës, falë inteligjencës policore se një shtetas me precedent të theksuar kriminal po qarkullonte i armatosur dhe kishte planifikuar të kryente një vrasje, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe “Shqiponjat”, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Tentativa”.
Si rezultat, në lagjen nr. 15, Durrës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin me të cilin lëvizte shtetasi i armatosur dhe kanë ndërhyrë duke zbatuar të gjitha procedurat standarde për ndalimin e një automjeti.
Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi, por nuk ka mundur dot pasi është bllokuar nga shërbimet e Policisë.
Gjatë kontrollit në automjetin tip “Benz” që drejtohej nga shtetasi A. M., me pasagjer shtetasin K. K., Policia, gjeti një armë zjarri “Scorpion” me silenciator dhe municion luftarak.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Durrës u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A. M., 37 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për disa vepra penale, brenda dhe jashtë vendit;
K. K., 29 vjeç, banues në Durrës.
Nga informacionet që kishte siguruar Policia, dyshohet se shtetasi A. M. kishte planifikuar vrasjen e një shtetasi.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësve të policisë”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu