KOSOVË- Autoritetet kosovare i kanë arrestuar pesë persona të dyshuar për krime lufte mëngjesin e së shtunës në Gjilan, njoftoi Prokuroria Speciale e Kosovës. Në një njoftim për media, Prokuroria tha se ata u arrestuan gjatë një aksioni të përbashkët të institucioneve të sigurisë dhe vjen pas një hetimi disamujor.
Ata dyshohet se ishin përfshirë në krime lufte si, vrasjen, plagosjen dhe maltretimin e civilëve në fshatrat Llovcë, Pogragjë dhe Uglar në prill të vitit 1999 gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Në kuadër të këtij aksioni… janë ndaluar personat me inicialet: D.C., D.N., N.S., S.J., M.Sh., me dyshimin e arsyeshëm se të njëjtit, në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, më 05.04.1999… me qëllim dhe dashje kishin vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare”, thuhet në njoftim.
Prokuroria i akuzo ata edhe për rrëmbim, përdhunim, rrahje, troturim fizik dhe psiqik të civilëve, si dhe për plaçkitje, shkatërrim dhe djegie të pronave të shqiptarëve. Prokuroria shtoi se, për personat e lartcekur. do t’i ndërmarrë veprimet e mëtejme procedurale ligjore, derisa ndaj kësaj çështjeje penale do të vazhdojë me zhvillimin e hetimeve./ REL