KOSOVË- Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për të dyzetekatërtën herë me radhë që ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Më 9 korrik, ligjbërësit refuzuan sërish që ta formonin një komision të propozuar për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish, në vazhdimin e seancës konstituive, të mërkurën, që ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Ato pretendojnë se është jokushtetuese kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje e cila fitoi shumicën e votave në zgjedhje që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, ndërsa LVV-ja ngulmon se votimi i fshehtë është legjitim dhe kërkon të ecet përpara.
Seanca konstituive do të vazhdojë të premten e 11 korrikut. Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve. Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.
Kandidatja e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime të hapura t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post. Haxhiu e LVV-së konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja. Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re. Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kërkoi nga deputetët që ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh, por nuk shpjegoi se çfarë mund të ndodhë në rast të mosrespektimit të aktgjykimit të saj.
Partitë politike vazhdojnë ta interpretojnë ndryshe-ndryshe atë. Javën e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ftoi në takim përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar opsionet për dalje nga kriza. Ajo e përmendi edhe mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë.