Zbardhet dinamika e atentatit të ndodhur mesditën e sotme në afërsi të fshatit “Dobraç” të Shkodrës ndaj shefit të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe Mentor Hasanaj dhe të atit. Burime bëjnë me dije se autori ka qenë duke i ndjekur me një motor tip “Papaq” dhe ka qëlluar në momentin që makina ka ndaluar.
Pasi ka qëlluar disa herë nga pas, ai ka dalë anash automjetit tip “Skoda”. Për pasojë kanë mbetur të plagosur shefi i bluve dhe babai i tij Xhelal Hasanaj. Ndërsa ka shpëtuar mrekullisht e shoqja e Mentor Hasanajt, Vjollca Hasanaj 28-vjeç e cila ka qenë në makinë në momentin e atentatit.
Gjendja e dy të plagosurve është mjaft e rëndë. Aktualisht ata po marrin ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të Shkodrës. Nuk dihen ende motive e këtij atentati, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Policia e Shkodrës jep detaje mbi atentatin ndaj shefit të Policisë Bashkiake, Mentor Hasanaj. Mësohet se në makinë ka qenë dhe graja e Hasanajt, Vjollca Hasanaj 28-vjeç. Në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar edhe forcat e FNSH Shkodër ku vijon kontrolli masiv i territorit për të bërë të mundur kapjen e autorit.
“Më datë 11.10.2020, rreth orës 12:30, në aksin rrugor Shkodër-Koplik, një person i paidentifikuar që qarkullonte me motomjet, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit të Policisë bashkiake Malësia e Madhe ku udhëtonin shtetasit M. H. 37 vjeç, V. H. 28 vjeçe dhe Xh. H. 70 vjeç, banues në Malësinë e Madhe.
Si pasojë janë plagosur shtetasit M. H, me detyrë Shefi i Policisë bashkiake në Malësinë e Madhe dhe Xh. H., i ati i tij, të cilët janë dërguar në Spitalin Rajonal Shkodër për ndihmë mjeksore
Shërbimet e Policisë me të marrë njoftim kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore dhe po kontrollohet zona ku dyshohet se ka lëvizur autori. Në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar edhe forcat e FNSH Shkodër ku vijon kontrolli masiv i territorit për të bërë të mundur kapjen e autorit.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën intensive për grumbullimin dhe fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe indetifikimin e autorit”, njofton policia.