Autobusi i nxënësve përplaset me kamionin brenda tunelit, ndërron jetë mësuesja

0

Një aksident tragjik ka ndodhur sot në Itali, ku një autobus që transportonte një grup nxënësish u përplas me një kamion.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur në tunelin e Lomazzo, provincën e Komos, ku përveç autobusit, në përplasje janë përfshirë edhe disa automjete të tjera. Autobusi po transportonte një grup nxënësish gjatë një ekskursioni shkollor dhe raportohet se mbante rreth 30 persona.

Një mësuese që shoqëronte nxënësit ka humbur jetën, pasi ngeci në rrënojat e autobusit. Ndërkohë fëmijët morën vetëm lëndime të lehta, ashtu si shoferi i kamionit. Në vendngjarje kanë mbërritur me urgjencë shumë automjete shpëtimi, përfshirë ambulanca, helikopterë shpëtimi, ekipe zjarrfikëse dhe forca të zbatimit të ligjit.

Për momentin, tuneli dhe e gjithë autostrada janë të mbyllura për trafikun, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht shkakun e aksidentit. Sipas rindërtimit fillestar të ngjarjes, autobusi ka goditur kamionin, i cili më pas ka goditur katër automjete të tjera në lëvizje, por pa shkaktuar dëme të mëdha. Hetimet janë në vazhdim për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit.