RRËSHEN- Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Rrugën e Kombit në afërsi të Rubikut. Një autobus me targa të Kosovës ka përplasur për vdekje një person që lëvizte me biçikletë. Ende nuk dihen shkaqet e këtij aksidenti dhe as identiteti i viktimës.
Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, teksa shoferi i autobusit është shoqëruar në komisariat.
Mirditë/Informacion paraprak
Rreth orës 09:30, në aksin rrugor “Rubik-Fang”, autobusi me drejtues shtetasin E. R., 60 vjeç, banues në Kosovë, me drejtim lëvizjeje “Morinë-Durrës”, ka përplasur një biçikletë me të cilën lëvizte shtetasi N. P., 72 vjeç, banues në fshatin Fang, Rubik. Si pasojë e përplasjes, shtetasi N. P. ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa nga autobusi nuk është dëmtuar asnjë pasagjer.
Drejtuesi i autobusit, shtetasi E. R. është shoqëruar në ambientet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Në vendin e ngjarjes ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore të Njësisë për Sigurinë e Autostradës “Milot-Morinë”, dhe grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e shkakut të këtij aksidenti.