Marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur 14-vjeçare çoi prapa hekurave kardiokirurgun e “Senatoriumit”, Dervish Hasi 42 vjeç, edhe pse ky i fundit ka deklaruar se vajzën e kishte gruan e tij të katërt sipas fesë islame.
Avokati i tij, Roland Islami, i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, ka treguar edhe se si janë njohur kardiokirurgu dhe vajza 14-vjeçare.
“14-vjeçarja ka pasur një të afërme të vetën në spital dhe atje i ka marrë numrin doktorit. Pas disa kohësh ka vazhduar t’i shkruante doktorit, i çonte zemra, kukulla duke përdorur WhatsAppin e vetë. Doktori e ka refuzuar fillimisht. Ajo i ka shkruar. Dhe pastaj ka rënë duke krijuar një lidhje por gjithmonë pa asnjë trysni edhe me pëlqimin e prindërve. 1 vit komunikim me një femër, e sfidoj mashkullin më të mirë dhe të mos bjerë në këtë”, u shpreh avokati.
Avokati mbrojtës i mjekut Dervish Hasi, Roland Islami thotë se klienti i tij ka shkelur vetëm kodin moral, por jo Penal. Sipas tij, Kodi i Familjes njeh martesën me një grua, por nuk kufizon bashkëjetesën.
Këto deklarata të tij u kundërshtuan fuqimisht në një debat nga avokatja Alesia Balliu e cila i kërkoi mos ta normalizonte situatën.
Alesia Balliu: Mua më vjen shumë keq në radhë të parë që avokati mbrojtës i mjekut vjen këtu dhe e trajton si diçka normale.
Roland Islami: E trajton ligji pra.
Alesia Balliu: Ti po e trajton… më fal, ke fëmijë vetë? Vajzën tënde do e lije të martohej 14 vjeç?
Roland Islami: S’do shkonte vetë ajo.
Alesia Balliu: Po të bëj një pyetje.
Roland Islami: S’do e bënte vetë.
Alesia Balliu: Po pse s’do ta bënte, i nderuar?
Roland Islami: Jo se s’do ta lija unë, pse unë jam përgjegjës ta ndaloj me dhunë, s’e bëj.
Alesia Balliu: Unë nuk ta lejoj të vish këtu në studio dhe ta trajtosh si diçka morale.
Roland Islami: Ti je prind ti?
Alesia Balliu: Jo, nuk jam. Mua nuk më duket fare etike, aspak që ti ta trajtosh si diçka normale këtë situatë sepse ai është i martuar me tre gra!
Blendi Fevziu: Ku është shkelja e ligjit?
Alesia Balliu: Që te zanafilla që ky person ka pasur probleme me institucionet e drejtësisë.
Roland Islami: S’ka asnjë problem.
Alesia Balliu: Ai është akuzuar. Është shumë e habitshme që për këtë person të ngrihen akuza të tilla dhe që këtë person tre femra ta pranojnë për bashkëshortin e tyre në një harmoni të paparë, ne jetojmë në Shqipëri.
Roland Islami: Të duket e habitshme, por s’është e habitshme për ata, ç’lidhje ka tani?
Alesia Balliu: Është shumë e habitshme, vajza ka qenë 14 vjeç dhe ai mund të ketë përdorur, nuk ka ndryshuar bota. Nuk është e vështirë të mashtrojë një doktor një adoleshente e cila nuk është e formuar.
Blendi Fevziu: Flas për tre gra këtu që e pranojnë të treja për bashkëshort dhe me grup WhatsApp.
Alesia Balliu: Ai ka ndotur edhe fenë islame sepse ai ka bërë mashtrim ndaj vajzës që i ka thënë ne martohemi te hoxha sepse të ishte që ai donte një martesë me të miturën siç e pretendoi avokati, ai ishte divorcuar nga gruaja e tij dhe e kishte marrë për nuse.
Roland Islami: Martesën sipas zakonit e kishte kryer ai.
Alesia Balliu: Sipas kujt zakon? Unë njoh vetëm Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë që martohesh vetëm një herë.
Roland Islami: Ai nuk ishte i martuar, bashkëjetonte.
Alesia Balliu: Martohesh vetëm një herë.
Roland Islami: Po sa herë bashkëjeton?
Alesia Balliu: Sa herë bashkëjeton, bashkëjeton me tre gra njëkohësisht këtu në Shqipëri? Nga ty po e dëgjoj.
Roland Islami: Me tre, me katër, me pesë, me dhjetë.
Alesia Balliu: Nga ty po e dëgjoj, ti bën gabim që e trajton si diçka morale.
Roland Islami: Islami, përkundrazi e ka kufizuar në 4, por ligji shqiptar nuk e kufizon. Ligji shqiptar thotë bashkëjetesa, marrëdhënia mes dy personave që mund të jetë edhe dy burra, edhe dy gra me njëri-tjetrin të cilët vendosin të bashkëjetojnë së bashku…
Alesia Balliu: Me dy burra nuk e ke në islam, lexo islamin se po gabon në deklarata i nderuar. Në Islam nuk lejohen dy burra./tvklan.al